Lufta antiinformalitet, tatimet vazhdojnë kontrollin
Denaj: Mos sfidoni shtetin, paguani detyrimet!
“Pezulluam dy inspektorë në Gjirokastër që kishin kërkuar ryshfet, i bëjmë thirrje biznesit që të denoncojë.”
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë tha se aksioni antiinformalitet po bëhet për të ndihmuar biznesin, ndërsa u shpreh e keqardhur që kontrollet po merren si një luftë ndaj sipërmarrjes. Ajo sqaroi se vetëm kështu mund të ndihmohet biznesi i ndershëm, duke ndëshkuar ata që bëjnë evazion, por dhe inspektorët që u kërkojnë para ndërmarrjeve private.
“Mos e sfidoni shtetin, respektoni rregullat dhe konkurrencën e ndershme”.
Ministrja thotë se është e dhimbshme t’i vendosësh shiritin e bllokimit një biznesi në mesin e sezonit turistik, por po ashtu është e domosdoshme për të kthyer vendin në rrugën e ligjshmërisë.
“Nuk është aspak e këndshme të vendosësh shirita. T’i vendosësh në një restorant apo në një hotel në mes të sezonit turistik është akoma dhe më e dhimbshme, veçanërisht për mua si ministre e Financave dhe Ekonomisë. Por, është e nevojshme për të përcaktuar që biznesi duhet të ecë drejt ligjshmërisë.”
Anila Denaj bëri thirrje që përpara se hotelet të regjistrohen në platformat e shitjes online si Booking, duhet të regjistrohen në zyrat e shtetit. Përveç zonave turistike tatimet do të nisin kontrollin në rreth 1 000 ndërmarrje të cilat rezultojnë me risk të lartë dhe që operojnë në fushën e hidrokarbureve dhe ndërtimit.
Tv Klan