Tadiç do të vizitojë Kosovën
Autoritetet në Prishtinë kanë konfirmuar se presidenti i Serbisë, Boris Tadiç do të lejohet që të vizitojë Kosovën më 7 Janar, me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.
Zëvendëskryeministri Ramë Manaj tha për BBC-në se leja për këtë vizitë do të jepet me një kusht: që ajo të ketë karakter fetar dhe presidenti serb të përmbahet nga deklaratat politike.
Presidenti i Serbisë ka kërkuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë që të lejohet të vizitojë Manastirin e Deçanit, por zyrtarët evropianë kanë kërkuar ta kenë edhe pëlqimin e Prishtinës zyrtare.
Edhe vitin e shkuar zoti Tadiç kreu një vizitë në Kosovë për Krishtlindjet Ortodokse, gjatë së cilës dha deklarata politike kundër pavarësisë .
Kjo do të jetë vizita e tij e dytë në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë që kundërshtohet fuqishëm nga Serbia.
Tv Klan