Starton në mbrëmje “Gjeniu i vogël”
Dhunti kanë vokalin dhe interpretimin Live. Jo më kot janë përzgjedhur si fantazistët e rinj të spektaklit “Gjeniu i vogël”, që rikthehet në Televizionin Klan me edicionin e tretë, pas katër vjetësh, me një format krejt origjinal nga dy programet e mëparshëm. Janë 30 fëmijë të perzgjedhur nga e tërë arena shqiptare përmes audicioneve, brenda dhe jashtë kufijve, deri në diasporë.
Ata do të çelin siparin e këtij spektakli që ka fituar një status të veçantë shikueshmërie në ekran, sonte në mbrëmje në orën 20:45, në Teatrin e ri të Televizionit Klan, skenë e frymëzuar rishtas për këtë program të promovimit të zërave më të rinj të këngës.
Një angazhim maksimal, që flet me tonet e një mega industrie, që nis me veshjet e fëmijëve, të orkestrës, lukun e tyre, transkriptimin e orkestraleve, partet muzikore, kolaudimin audio-video, në një program, ku gjithçka dimensionohet Live për publikun dhe teleshikuesit.
Një format që mban vulën Pandi Laços si skenarist dhe producent, Bledar Laços si regjisor dhe Adi Hilës si udhëheqës artistik, por që mundësohet në bashkëpunim me një staf të tërë profesionistësh të Televizionit Klan. Por prezantimi i elementeve të “Gjeniut të vogël” këtë herë ka një formulë të re, krejt aritmetike.
Si asnjëherë më parë në skenë do të jenë plot 40 muzikantët e orkestrës, 30 fëmijët e Gjeniut dhe 60 fëmijët e Korit të Qendrës Kombëtare të Kulturës, të drejtuar nga kompozitori Xhavid Ujkani.
Natën e parë të spektaklit do të prezantohen të gjithë femijët, me këngë të njohura, perla të muzikës së lehtë shqiptare, si dhe këngë të njohura italiane dhe amerikane. Këngë këto të kënduara me orkestër dhe akapela, disa syresh të aranxhuara nga kitaristi Genti Myftaraj.
Por detajet e këtij programi shkojnë edhe përtej skenës, pasi për 14 javë të spektaklit, fëmijët janë shkëputur nga qytetet e tyre, nga shkollat ku mësojnë për të jetuar e vijuar mësimin normalisht nga e hëna në te premte në shkollën 9-vjeçare dhe te mesme Faik Konica në Tiranë.
Mësim në shkollë dhe prova për spektaklin e javës, që këtë herë i është besuar prezantueses Suela Demiri.
Formula e programit këtë vit ka të veçantë edhe 4 anëtarët e jurisë, të cilët jo vetëm do evidentojnë vlerat interpretative. Por kjo mbetet për t’u zbuluar sonte, kur do të njihen edhe 30 fëmijët e “Gjeniut të vogël”, të cilët për mëse 3 muaj do të pushtojnë ekranin e Televizionit Klan çdo të shtunë.
Tv Klan