Mesiç: E ardhmja e rajonit në BE
Në vizitën e tij në Prishtinë, presidenti kroat Stipe Mesiç tha se Kroacia do ta ndihmojë Kosovën në realizimin e synimeve të saj për integrim në familjen e bashkuar evropiane. Në këtë vizitë Mesiç u prit nga homologu i tij Fatmir Sejdiu, i cili vlerësoi me nota maksimale mbështetjen që Kroacia dhe në veçanti presidenti Mesiç i kanë dhënë të drejtës “legjitime” të Kosovës për pavaresi.
“Arkitektura e rajonit më në fund është e përfunduar. Tani i gjithë rajoni duhet të anëtarësohet në Bashkimin Europian sepse vetë Europa është tashmë e bashkuar, edhe nëse dikujt mund të mos i pëlqejë. Pyetja e vetme që shtrohet këtu është se sa shpejt vendet e rajonit do të anëtarësohen në bllok”, tha Mesiç.
Presidenti Sejdiu e dekoroi homologun e tij me Medaljen e Artë të Pavarësisë. Mesiç ka zhvilluar takime edhe me kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi. Ai është shpallur Qytetar Nderi i Prishtinës dhe më vonë gjatë pasdites do të vizitojë paqeruajtësit kroatë në kuadër të KFOR-it, si dhe qytezën e Janjevës.
Mesiç përfundon mandatin e tij të dytë pesë-vjeçar në Shkurt. Njohja që Kroacia i bëri pavarësisë së Kosovës dhe qëndrimi i saj pro Prishtinës në Hagë tensionoi marrëdhëniet me Serbinë. Të dyja vendet kanë akuzuar njëra-tjetrën në Gjykatën Ndërkombëtare për genocid.
Tv Klan