Ekstradimi i ish-luftëtarit të UÇK-së
Ministria e Drejtësisë ka kërkuar mendimin e Penales
Ministria e Drejtësisë ka kërkuar mendimin e Gjykatës Penale nëse ish-pjesëtari i UÇK-së Tomor Morina duhet të ekstradohet në Serbi. Ambasadori i Kosovës në Shkup Gjergj Dedaj ka realizuar një takim me Tomor Morinën.
Në një postim në Facebook, Dedaj ka theksuar se ai është në gjendje të mirë dhe se ndjehet i pafajshëm. Dedaj ka falenderuar institucionet e Shkupit për mënyrën e trajtimit të Morinës nga ana e institucioneve duke shtuar se drejtësia është në anën e Morinës dhe pret që ai së shpejti t`I kthehet familjes në Kosovë. Përpos Ambasadorit Dedaj, Morinën paraprakisht e kishin vizituar edhe dy diplomatë tjerë të punësuar në Ambasadën e Kosovës.
Por, Zv/Kryeministri Bujar Osmani dhe Zv/Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut Agim Nuhiu nuk morën leje për ta vizituar atë në burgun e Shkupit.
Për Morinën tashmë ka nisur java e dytë që kur u vendos prapa grilave, pas vendimit të gjykatës që i caktoi 30 ditë paraburgim. Epilogu rreth ekstradimit të tij shkaktoi një valë reagimesh në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Kosovë.
Zv/Kryeministri Bujar Osmani në një deklaratë për mediat kishte theksuar se ekstradimi i Morinës në Serbi do ta cënonte stabilitetin e rajonit. Ish-Pjesëtari i UCK-së Tomor Morina dyshohet për atë që Beogradi e quan krime kundër civilëve serbë në Kosovë në vitin 1999.
Tv Klan