Më shumë dashuri – Nata 1 (14 Shkurt 2008)
Një emision nga Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu. Me pjesëmarrjen e veçantë të Emiliano Lule.
Në natën e parë të emisionit “Më shumë dashuri” ndoqët:
Një rrëfim i ardhur nga qyteti i Beratit vërtetoi se dashuria e vërtetë ekziston. Një histori romanesh dhe surpriza befasuese na bënë të gjithëve të ëndërrojmë. Besi dhe Kamela kurorëzuan dashurinë e tyre në ditën e Shën Valentinit në studion e emisionit “Më shumë dashuri”.
Të humbasësh një prind mund të konsiderohet një fatkeqësi, por t’i humbasësh të dy duket sikur bota shembet. Desareti dhe Anjeza i humbën prindërit brenda një distance prej 6 muajsh. I ati, Aliu humbi jetën prej një ataku kardiak, ndërsa e ëma, Zana nga shpërthimi i një predhe në uzinën e armëve. Kjo tragjedi i ka lënë motër e vëlla në një dilemë të madhe. Desareti nuk di nëse duhet të plotësojë ëndrrën e prindërve që të vazhdojë universitetin në Tiranë apo të kujdeset për të motrën në Poliçan. “Më shumë dashuri” dhe presidenti i fondacionit “Days and Partners”, Indrit Aliu i mundësuan atyre qiranë e një shtëpie në Tiranë deri në përfundimin e studimeve të Desaretit, një vend punë për të, financimin e shkollimit të Anjezës dhe 2000 Euro për shpenzimet e tyre.
Nuk është një trillim Shakespeare-ian, por një histori e vërtetë e një Romeo dhe Juliet shqiptare. Prej dy vitesh dy të rinj ishin shumë të dashuruar, por me hyrjen e një të treti në mes, burri në një gjendje të rëndë psikologjike mendoi që duhet të vdisnin sëbashku, duke u djegur me benzinë. Ky i fundit humbi jetën tragjikisht, ndërsa gruaja, Klodi mbijetoi. Kjo tragjedi në emër të dashurisë la pasoja të mëdha në jetën e Klodit, si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht. Mikja e saj, Enkelejda dëshiron t’i japë kurajo dhe forcë për të ecur përpara për vete dhe për vajzën e saj. “Më shumë dashuri” i dhuroi Klodit një operacion plastik për të korrigjuar të gjitha shenjat e mbetura nga djegia.
Ajola Xoxa dhe Erion Veliaj ndan me ne surprizat që kishin përgatitur për njëri-tjetrin për festën e të dashuruarve. Me ndihmën e “Më shumë dashuri”, Ajola na zbuloi talentin e saj në baletin klasik, si dhe në këngë. Surpriza këto jo vetëm për shikuesit, por edhe për partnerin e saj, i cili u habit dhe u lumturua pamasë. Ky i fundit vendosi të marrë disa leksione për përgatitjen e sushit, duke qenë se Ajola është talent edhe në kuzhinë./RTV Klan Arkiv. /tvklan.al