Parashikimi nga SHBA: Përmbytjet, rast ekstrem në 100 vjet
Shqipëria është ndeshur me një nivel rreshjesh dhe përmbytjesh të shkallës së ashpërsisë 2, një fenomen që ndodh një në 100 vjet, ose edhe më rrallë. Sipas një analize të botuar nga Sistemi i Zbulimit të Katastrofave Natyrore në SHBA, pas studimit të parametrave të rreshjeve, leximit dixhital të tyre përgjatë kaskadës së Drinit dhe fushave rreth Shkodrës, një nivel i tillë rreshjesh mund të ndodhë vetëm një herë në shekull, në një kohë që niveli i emergjencës është ende në ngjyrën jeshile përderisa nuk ka asnjë viktimë.
Në faqen në internet jepet gjithashtu një pamje e përgjithshme e asaj që po ndodh këto ditë në Shqipëri. Në analizën e publikuar më 6 janar 2010 thuhet se Shqipëria u përball me një katastrofë të mundshme, pasi prej disa ditësh pjesa veriore e saj është përfshirë nga rreshje të mëdha dhe shkrirje dëbore në malet përreth liqeneve e lumenjve, që kanë dalë nga shtrati dhe kanë përmbytur në zonat veriperëndimore qindra hektarë tokë dhe qindra shtëpi të banorëve të kësaj zone.
Bazuar në të dhënat e mediave të huaja dhe atyre shqiptare, agjencia vlerëson se situata po menaxhohet mirë prej qeverisë. “Përmbytja në Shqipëri, në zonën e Shkodrës filloi më katër janar dhe ka shkallën dy të ashpërsisë, një fenomen ky tepër i rrallë”, thotë agjencia.
Tv Klan