Rrezik përmbytjeje në Ohër dhe Strugë


Rrezik përmbytjeje në Ohër dhe Strugë

12:44 12/01/2010

Maqedonia është duke respektuar me përpikmëri kërkesën e Shqipërisë për ndihmë në ballafaqimin me përmbytjet, deklaroi sot Ministri për Bujqësi dhe Administrim me Ujërat në Qeverinë e Maqedonisë, Lupco Dimovski.

“Me përpikmëri e respektojmë kërkesën e Shqipërisë për ngritjen e nivelit të liqenit të Ohrit, për të penguar përkeqësimin e situatës. Niveli aktual i ujit në Liqenin e Ohrit është për 3 centimetra mbi pikën maksimale. Kjo e shton rrezikun për përmbytje në Ohër dhe Strugë, mirëpo ne jemi të vendosur që të ndihmojmë”,  tha ministri Dimovski.

Dimovski shtoi se situata do të ndryshojë në rast se niveli i ujit arrin pikën maksimale prej 694 metra lartësi mbidetare.

“Pika kritike e Liqenit të Ohrit është 694 metra lartësi mbidetare dhe nëse tejkalohet kjo pikë, atëherë derdhja e ujërave nga Liqeni i Ohrit nuk do të mundet të kontrollohet. Në atë rast do të përmbyten edhe lagje te Ohrit dhe Strugës”, u shpreh Dimovski.  

Tv Klan






Të ngjashme