Emergjenca, Berisha mbledh qeverinë në Shkodër
Mbledhja e radhës së qeverisë u zhvillua në Shkodër dhe kryeministri renditi si arsye për ketë solidarizimin me banorët e zonës së përmbytur, si dhe forcimin e garancive për kapërcimin sa më parë të kësaj fatkeqësie natyrore.
Shefi i qeverisë ritheksoi dhe një herë se situata e krijuar në veri perëndim të vendit ishte pasojë e kushteve të tilla atmosferike, që ndodhin një herë në 100 vjet, duke shënuar rreshje të pazakonta shiu dhe shkrirje të borës.
Berisha theksoi se në zonën e përmbytur u realizua operacioni më i suksesshëm në historinë e vendit, që dëshmoi shkallë të lartë morali, organizimi dhe shpirt sakrifice. Kryeministri u ndal posaçërisht në procesin e dëmshpërblimit të banorëve të zonës së përmbytur.
Për të nënvizuar gatishmërinë e qeverisë për ndihmë, kryemsinitri solli në vëmendje vizitën e tij gjatë paradites në bazën e Gjadrit, ku sikundër tha Berisha, punohet 18 orë për të paketuar ushqim për banorët dhe gjënë e gjallë në zonat e përmbytura.
Kryeministri Berisha shpalli disa nga projektet më emergjente, ku do angazhohet qeveria menjëherë pas tejkalimit të situatës së emergjencës.
Shefi i qeverisë e nisi me lumin Buna, me projektin për thellimin e tij. Aktualisht atje është vënë në funksion një dragë e fuqishme për të mundësuar uljen e nivelit të lumit.
Një pjesë të konsiderueshme të mbledhjes së qeverisë, kryeministri e rezervoi për të falenderuar të gjithë ata që u përfshinë në operacion, përfaqësues lokalë, ministra, deputetë të zonës, por dhe banorët që përballuan me dinjetet situatën.
Listës së falenderimevë Berisha i shtoi dhe vendet partnere, që u angazhuan me ekspertizë, ndihmë logjistike dhe ushqimore në këtë situate emergjence civile.
Tv Klan