KESH: PS gënjen, nuk kemi blerë energji në Kosovë
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare mohoi deklaratat e PS, sipas së cilës kjo kompani ka importuar energji në Kosove nga datat 26 Dhjetor deri më 13 Janar.
Në një dalje për mediat kreu i ketij dikasteri, Muharrem Stojku i cilësoi ato shpifje dhe tha se në bazë të marrëveshjes, që përfundon të mërkurën në orën 12:00, KESH i ka dhënë KEK-ut të Kosovës gjatë 12 ditëve 61 milionë kë/orë energji.
Më tej drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare shtoi se pas përfundimit të marrëveshjes që kishin për eksportin e energjisë me Kosovën, nga data 10 Janar është hapur tenderi që do të vijojë deri në fund të këtij muaji, ku janë në garë dy firmat serbe, ato Ezpada e Rudnap, si dhe EGL e EFT, që janë dy kompanitë e tjera zvicerane .
Gjatë konferencës për shtyp Stojku u ndal dhe tek situata më e fundit në kaskadën e lumit Drin, ku tha se gjatë gjithë këtyre ditëve prej saj është derdhur mbi 2 miliardë m/kub ujë. Më tej ai iu përgjigj dhe interesit të mediave në lidhje me hapjen e portave të hidrocentraleve të Vaut të Dejës dhe të Komanit.
Sipas Stojkut, si pasojë e prurjeve të mëdha gjatë këtyre ditëve në hidrocentralet që ndodhen në kaskadën e lumit Drin, KESH ka rritur me 50% eksportin e energjisë elektrike.
Tv Klan