Historia e vrasjes së heroit të popullit (Sezoni 2 – 25 Prill 2010)


Historia e vrasjes së heroit të popullit (Sezoni 2 – 25 Prill 2010)

Autori: Pamela Jonuzi

22:33 25/04/2010

Histori me zhurmues- Më 22 Tetor të vitit 1946 dy destrojerë britanikë ranë në mina në ujërat territoriale të Shqipërisë. Pikërisht kjo ngjarje e dokumentuar në Arkivat e Shtetit si incidenti i kanalit të Korfuzit, është lejtmotiv i gjurmimit të “Histori me Zhurmues”, të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço.

Ngjarja përfshiu për një kohë të gjatë angazhimet diplomatike të dy vendeve dhe të disa organizmave ndërkombëtare dhe përfundoi me një proces me tre vendime të njëpasnjëshme të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke e shpallur Shqipërinë përgjegjëse për incidentin detar të Korfuzit. Koloneli në pension, Skënder Malindi rrëfeu ngjarjen të cilën e ka ndjekur nga afër si pjesëmarrës në operacionin e çminimit të kësaj hapesire sëbashku me ushtarakët jugosllave dhe më vonë ata rusë.  

Dedë Miri ishte një tjetër protagonist i “Histori me Zhurmues”, i cili rrëfeu tmerret që hoqi familja e tij, e akuzuar për vrasjen e inskenuar nga Sigurimi i Shtetit të heroit të popullit Rexhë Deliu. Në këtë vrasje u pushkatuan plot 11 burra dhe u dënuan me burg mbi 20 persona nga familja Miri.

Por, 1946-ta është edhe viti i aksionit të mbledhjes së armëve të mbetura nga lufta në të gjithë vendin. Fran Sokoli nga Zejmeni i Lezhës tregoi për operacionin ndëshkimor të Forcave të Armatosura të Ushtrisë në këtë krahinë, gjatë të cilit i pushkatuan të atin në mes te fshatit dhe më vonë xhaxhanë, duke mbjellë panik në të gjthë zonën e Bregut të Matës. /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al






Të ngjashme