Skenarët pas dorëheqjes së Conte-s


Skenarët pas dorëheqjes së Conte-s

11:47 21/08/2019

Dorëheqja e Giuseppe Conte e ka futur Italinë, në një situatë të turbullt politike. Presidenti Sergio Mattarella nis këtë të mërkurë konsultimet me krerët e institucioneve dhe partive politike për mënyrën e daljes nga ajo që analistët e kanë quajtur si “ngërçin më të ri politik” të shkaktuar nga prishja e koalicionit mes Lega Nord dhe Lëvizjes 5 Yjet.

Alternativat për presidentin janë të kufizuara, të nxisë diskutimet mes partive politike për të krijuar një koalicion të ri qeverisës, të krijojë një qeveri teknike ose të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Ditët e fundit në media është folur për një bashkëpunim të mundshëm mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Partisë Demokratike, që sëbashku i kanë votat për formimin e një qeverie të re koaliconi. Nga Lëvizja 5 Yjet janë treguar më të hapur për bashkëpunim, por demokratët e shohin me skepticizëm. Në zgjedhjet parlamentare të marsit të vitit të kaluar, 5 Yjet e përqëndruan fushatën e tyre tek rrëzimi i kastës së vjetër që i etiketonin si “shërbëtorë të Brukselit”. Në krye të listës ishte ish-kryeministri Mateo Renzi, i cili mohoi mundësinë e pjesëmarrjes në një qeveri koalicioni.

Nëse shkohet në zgjedhje të reja, sondazhet paralajmërojnë fitoren e Mateo Salvinit dhe Lega Nordit. Por analistët thonë se edhe ai do nuk do t’a ketë të lehtë të bëjë koalicion paszgjedhor, me dy ish-aleatët, Forca Italian e Berluskonit dhe Vllezërit e Italisë të ekstremit të djathtë të cilët i braktisi kur hyri në koalicion me 5 Yjet.

Tv Klan






Të ngjashme