G7, 20 milionë Euro për Amazonën
Liderët e G7 akorduan një fond emergjence prej 20 milionë Eurosh për të shpëtuar Amazonën.
Presidenti francez Emmanuel Macron, njoftoi vendimin e 7 vendeve më të industrializuara të globit, për t’i bërë ballë zjarreve që kanë shkrumbuar prej disa javësh pyjet e Amazonës.
Emmanuel Macron – president i Francës: Do t’i dhurojmë menjëherë Amazonës një mbështetjen financiare, të paktën në vlerën e 20 milionë Eurove. Franca do të mbështesë gjithashtu me ndihma ushtarake, në orët e ardhshme në rajon.
Ndihma e Francës ndaj katastrofës natyrore në Amazonë, vjen në një moment replikash të forta në distancë mes dy presidentëve, atij francez Macron dhe atij brazilian Bolsonaro. Ky i fundit ironizoi në rrjetet sociale rreth moshës së zonjës së parë franceze. Një veprim që presidenti Macron e quajti të turpshëm.
Sakaq, 44 mijë trupa ushtarake janë angazhuar prej së dielës në shuarjen e flakëve në Amazonë, me urdhër të presidentit Bolsonaro.
Flakët kanë shkrumbuar bimësinë dhe gjallesat. Ndër të paktit që kanë shpëtuar mesa duket është ky gjarpër. Në shumicën e rasteve, zjarret janë nxitur nga fermerët për hapjen e tokave të reja.
Grupet ekologjiste akuzojnë presidentin Bolsonaro si shkaktar të situatës, me mbështetjen që i jep zhvillimit e bujqësisë përmes shpyllëzimit. Vetëm këtë vit mbi 70 mijë vatra zjarri kanë shkrumbuar pyjet e Amazonës, një shifër që përbën rekord historik.
Tv Klan