Zjarr i madh në Mbreshtan të Beratit
Një zjarr ka rënë në fshatin Mbreshtan të Njësisë Administrative Sinjë rreth 700 metra larg kullës së pusit të naftës në Berat.
Kanë qenë punonjësit e firmës së naftës që kanë njoftuar shërbimin e zjarrfikëses së Bashkisë së Beratit. Po ata kanë qenë të parët që kanë filluar fikjen e zjarrit. Në vendngjarje kanë shkuar dhe banorë të zonës, të cilët kishin dhe tokat e tyre kryesisht ullishte.
Nga të dhënat e para mësohet se zjarri ka përfshirë rreth 3 hektarë shkurre dhe afërsisht 2 dynym ullishte. Pavarësisht terrenit të vështirë, punonjësit e zjarrfikëses po punojnë për fikjen e vatrës së zjarrit.
Në ndihmë të zjarrfikëses kanë shkuar dhe punonjës të ndërmarrjeve të gjelbërimit të Bashkisë Berat. Ndërkaq, policia po punon për zbardhjen shkaqeve të rënies së zjarrit. /ABC News Albania 24/7