Historia e djegies së gazit në ’80 (Sezoni 2 – 11 Prill 2010)
Autori: Pamela Jonuzi
22:51 11/04/2010Viti 1980 lidhet me një ngjarje të rëndësishme për industrinë e naftës, siç ishte fontana C-37 në zonën e Fierit. Nga një gabim njerëzor vetëm 48 orë pas eliminimit të flakëve në këtë pus nafte, ndodhi shpërthimi i dytë dhe djegia e gazit vazhdoi për 33 muaj, duke i shkaktuar një dëm të pallogaritshëm ekonomisë shqiptare.
Koli Mone, shefi i brigadës avaro-shpëtuese, rrëfeu për “Histori me Zhurmues” mbi përpjekjet 3-vjeçare pa rezultat për eliminimin e flakëve. Për miliona metër kub gaz të djegur, miliona dollarë dëm deri në djegien e plotë të shtresës së gazit.
Sheqere Trimi, një personazh i nxjerrë nga kronikat e kohës, nënë e 10 fëmijëve, mjelëse e dalluar në kooperativën e Ndroqit dhe delegate në Kongresin e Gruas, ishte një tjetër protagoniste e emisionit të sotëm. Ajo na njohu me jetën e vështirë të fshatit socialist në vitet ‘80 dhe takimin në Pallatin e Brigadave me Enver Hoxhën dhe udhëheqës të tjerë të lartë të Partisë dhe të shtetit.
E mbështetur sërish në kronikat e kohës, erdhi këtë të diel edhe historia e Natali Beratit, mjekja që sapo mbaroi stazhin në spitalin e Shkodrës u emërua në po këtë vit në një nga fshatrat e këtij rrethi, ku punoi për 5 vjet./tvklan.al