Ndërtohet nga e para shkolla “Servete Maçi”
Në 16 Shtator do të presë 600 nxënës
600 nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Servete Maçi” do nisin vitin e ri shkollor në ambiente të reja. Teksa inspektoi punimet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se falë këtij investimi, nxënësit do të gjejnë një shkollë me kushte bashkëkohore.
“Në 2011, plani i administratës së shkuar ishte ta mbyllte shkollën prej kushteve të rënduara dhe të lironte terrenin, nuk e di, për ndonjë pallat a diçka tjetër. Sa shpejt ndryshojnë gjërat, kur do të punosh për mirë! Bashkë me deputeten, me qeverinë, me të gjithë komunitetin e Njësisë 9, e kemi kthyer shkollën në një bizhu.”
Me ndërtimin e kësaj shkolle tha Veliaj, i jepet fund mësimit me dy turne për nxënësit e Njësisë 8 dhe 9.
“Dua të ftoj të gjithë banorët, jo vetëm të zonës, por edhe gjithë Tiranës, duke qenë se nuk është vetëm një shkollë lagjeje, por e gjithë qytetit, që të bëjnë përgatitjet e fundit për regjistrimet; ama, ne do të respektojmë kuotat, nuk do kalojmë mbi 600 nxënës, për t’u siguruar që shkollat e reja nuk pësojnë mallkimin e shkollave të vjetra.”
Shkolla “Servete Maçi” do të ketë dhoma të dedikuara, si tek Liceu Artistik, bibliotekë cilësore dhe një palestër moderne.
Tv Klan