Rriten forcat nacionaliste në Gjermani


Rriten forcat nacionaliste në Gjermani

17:10 02/09/2019

AFD, e dyta në zgjedhjet rajonale në Brandenburg dhe Saksoni

Nacionalistët i japin një tjetër goditje koalicionit qeverisës të Kancelares Merkel në Gjermani. ‘Alternativa për Gjermaninë’ zuri vendin e dytë në zgjedhjet e kësaj të diele për parlamentet rajonalë në Brandenburg e Saksoni.

Forcë e parë politike në Brandenburg u renditën socialdemokratët, me një elektorat të tkurrur dhe vetëm 2.7% më shumë se nacionalistët, mbështetja për të cilët u rrit me mbi 11% në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Ndërsa në Saksoni, edhe pse kristiandemokratët e Merkelit u renditën të parët, patën edhe ata rënie domethënëse të mbështetjes së votuesve. ‘Alternativa për Gjermaninë’ u rendit e dyta me 17.8% më shumë krahasuar me zgjedhjet e 4 viteve më parë. Humbje të rëndë pësuan social-demokratët në këtë rajon që përfunduan në vendin e pestë.

Ne jemi të kënaqur me rezultatin në Brandenburg dhe Saksoni. Partia jonë ndëshkoi konservatorët e Merkelit. Tashmë do të përfaqësojmë denjësisht zërin opozitar”, tha Alexander Gauland, bashkëkryetar i AFD.

E krijuar 6 vite më parë, ‘Alternativa për Gjermaninë’ po njeh vetëm rritje të mbështetjes popullore.

Me programin e saj euroskeptik, kundër emigrantëve dhe kundër myslimanëve, kjo parti ka shfrytëzuar edhe kaosin e shkaktuar nga dyndja e pakontrolluar e rreth 1 milion refugjatëve dhe emigrantëve në 5 vitet e fundit.

Vala shkaktoi rritje të akteve të dhunës dhe kriminalitetit me autorë nga kjo kategori, duke shtuar pakënaqësinë ndaj qeverisë Merkel. 

Tv Klan






Të ngjashme