A janë pushime, pushimet me fëmijët?


A janë pushime, pushimet me fëmijët?

18:55 04/09/2019

Pushimet verore janë momenti më kulminant i vitit. Pas një periudhe të gjatë pune, çlodhja është mëse e nevojshme. Të gjithë zgjedhin vendet e preferuara dhe bëhen gati për disa ditë relaksi. Por pak më ndryshe i përjetojnë pushimet çiftet që kanë fëmijë me vete. Shpesh lind pyetja nëse janë vërtetë pushime, pushimet me fëmijët? Për prindërit e rinj pushimet e para me një bebe janë vërtetë një situatë frike për fëmijën dhe me dyshimin se mos ndoshta nuk përballojnë dot udhëtimin.

Kur fëmijët janë më të rritur problematikat ndryshojnë, por sërish janë prezente. Vëmendja e përqendruar tek fëmijët e bën pak të lodhshëm pushimin për prindërit, ndaj edhe pas pushimeve shpesh shprehen se në të vërtetë nuk kanë bërë pushime. Për të diskutuar lidhur me këtë temë ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Artenisa Ozaj, sipërmarrëse, Greiss Petroviq, drejtuese e “Grace Model Management” dhe Alesio Aliaj, model dhe organizator eventesh.

“Mund të them që është një mision dhe jo pushime për prindërit, janë pushime për fëmijët. Prindërit mësojnë shumë kur janë me fëmijët, por vetë nuk pushojnë. Ndryshe nga vjet, kur Emel ishte 2 muajshe, këtë vit ishte shumë i bukur. Por nuk mund të them se janë 100% pushime”, tha Petroviq.

“Ne ishim në Turqi këtë vit për një javë. Këtë vit ne i shijuam pushimet ashtu si edhe Abi, pasi këtë vit është më e rritur. Çuditërisht edhe vajza i ka shijuar pushimet këtë vit”, tha Aliaj.

“Ne i bëmë pushimet në Qerret. Erdhëm nga Australia dhe udhëtimi zgjati shumë dhe për fëmijët ishte i tmerrshëm. Vajza kishte problem me veshët nga zhurma e avionit dhe djali është shumë i vogël. Ky është muaji i parë për mua që kam qëndruar gjatë pushimeve çdo ditë me familjen”, tha Ozaj.

Ndërkohë lidhur me këtë temë, doktor Edi Tushe tha se për fëmijët është e rëndësishme t’i kalojnë pushimet me prindërit, pasi ndarja me ta mund t’u shkaktojë stres dhe trauma. Sipas tij, për të mos ndjerë bezdi nga fëmijët, prindërit duhet të zgjedhin vendin e përshtatshëm për të pushuar bashkë me ta.

“Pushimet me fëmijët nuk janë pengesë për prindërit. Shpeshherë në varësi edhe të moshës largimi nga shtëpia dhe lënia e tyre me gjyshërit mund ta stresojë shumë fëmijën dhe t’i shkaktojë një lloj traume dhe mund t’i duhet kohë për ta marrë veten. Mesazhi im është që fëmijët nuk janë pengesë për pushimet e prindërve, thjeshtë duhet planifikuar mirë vendi që të mos kthehet në bezdi”, tha Edi Tushe./tvklan.al






Të ngjashme