Si vishen shqiptarët (2008)
Autori: Blendi Fevziu
22:39 21/10/2008Veshja shpesh reflekton tek njerëzit mënyrën e të menduarit dhe mentalitetin e shoqërisë. Por si ka evoluar moda në vendin tonë? Për të diskutuar rreth kësaj teme ishin të ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan Artan Gaçi, Klodi Mengri, Edi Paloka, Rozeta Ferri, Najada Hamza dhe Fjoralba Mishaxhi.
“Unë besoj që jeta e shqiptarëve ka një rifillim pas viteve 90-të, kjo edhe në fushën e modës gjithashtu. Me hapjen e shoqërisë shqiptare pas viteve 90-të u hap edhe kjo hapësirë për shqiptarët. Informacionet kanë ardhur pak nga pak, Nuk besoj që shqiptarët kanë pasur raport me modën para 90-ës, përveç disa individëve që mund të kishin shije të posaçme, pjesa tjetër ishte e standardizuar. Tregu ka qenë standard dhe ishe i detyruar ti bindeshe situatës që ishte”, tha Hamza.
“Ne kemi tendencën të dukemi dhe kjo ndodh edhe me veshjen. Ky është një stereotip që ka kaluar thellë në të menduarin tonë. Ne kemi qenë aq të padukshëm në të kaluarën tonë saqë tani duam vërtetë të dukemi. Krijohet stereotipi i një vajze që vishet me xhinse të ngushta me taka dhe ndjekin të gjithë atë sepse ajo bie në sy. Modeli i medias po ashtu ndikon shumë në krijimin e një stereotipi”, tha Mengri.
“Edhe unë si kolegët e mi mendoj se përpara 90-ës nuk ka ekzistuar moda, ka qenë thjeshtë mbushje nevoje. Identifikoheshin njerëzit nga ngjyra e xhupit”, tha Artan Gaçi./tvklan.al
Të ftuar: Artan Gaçi, Klodi Mengri, Edi Paloka, Rozeta Ferri, Najada Hamza, Fjoralba Mishaxhi.