Partia Republikane konferencë për shtyp (09 Janar 1999)
Republikanët kanë kritikuar sot ashpër Qeverinë Majko duke e vendosur në të njëjtat parametra me paraardhesin e tij. Qeveria socialiste si ajo Nano dhe Majko, kanë treguar se jo vetëm nuk janë të afta për të kapërcyer krizën që ka mbërthyer ekonominë shqiptare, por tregojnë një papërgjegjshmëri të plotë në hartimin dhe zbatimin e politikave fiskale.
Politika e ligjeve ekonomike po drejtohet nga klane të caktuara në
pushtet të cilat janë të lidhura me tregtine e mallrave të forta për të cilat paguhet akcizë dhe që përbëjnë thelbin e kontrabandës në Shqipëri. Ata shpjeguan se masa e fundit e Qeverisë për unifikimin e akcizave të mallrave të importit dhe të vendit nuk i nënshtrohet asnjë logjike ekonomike dhe është në kundërshtim me interesat e prodhuesve shqiptarë.
Sipas tyre do të thellohet deficiti i bilancit eksport-importit, qindra milionë
dollarë të investuara në fabrikat e cigareve dhe pijeve alkolike do të bëhen inekzistente, duke nxjerrë në rrugë mijëra të tjerë. Do të largohen edhe investitorët e huaj dhe do kthehet tregtia e cigareve në monopol të pushtetarëve. Për Republikanët, në Shqipëri lufta kundër korrupsionit po kthehet vetëm në një shaka dhe se qeveritarët tanë duke e ndjerë veten të përkohshëm favorizojnë veten e tyre për një pasurim të shpejtë dhe në mënyrë abuzive./tvklan.al