Zjarr në hidrocentralin e Fierzës (01 Gusht 1998)
Evitohet tragjedia e rëndë në hidrocentralin më të madh të vendit. Pesë orë luftë me flakët. Mjete të specializuara dhe helikopterë kanë luftuar që në orët e para të mëngjesit me një zjarr të fuqishëm i cili ka përfshirë sallën e makinerive të hidrocentralit të Fierzës. Ende nuk ka një konfirmim për shkaqet që rrezikuan të shkaktonin një fatkeqësi të madhe një shkëndijë të vogël.
Dyshimet e para janë hedhur në një defekt të vogël teknik i cili i ndihmuar dhe nga thatësira e tejzgjatur ka vënë në alarm të gjitha strukturat e Koorporatës Energjitike Shqiptare por dhe ato të Ministrisë së Brendshme. Nuk përjashtohet as fakti dhe as mundësia e një sabotazhi.
Sipas një komunikate zyrtare, zjarri është shuar rreth mesditës duke sjellë shqetësime, frikë dhe dëme materiale. Në selinë qëndrore të KESH në Tiranë kanë vazhduar deri vonë lidhjet telefonike me personat që vazhdonin të luftonin kundër flakëve. I gjithë sistemi energjitik i Shqipërisë ka qënë në panik.
Drejtori i KESH Ëngjëll Çuçi është prononcuar për Televizionin Klan vetëm disa orë pas betejës me flakët. Ai është munduar të shmangë çdolloj paniku duke thënë se gjendja do të vijojë të jetë në kontroll shumë shpejt./tvklan.al