Shqiptarët dhe moda


Shqiptarët dhe moda

Autori: Blendi Fevziu

22:53 04/01/2012

Sa modernë janë shqiptarët kur bëhet fjalë për të ndjekur shijet e stilistëve më të njohur botëror? Pas viteve ‘90 filluan tentativat e para për të krijuar disa profile stilistësh, por që në fakt më shumë ishin rrobaqepës.

Njerëzit kishin dalë nga një sistem, ku ishin të etur për të provuar rroba të reja dhe çdo veshje apo model i ri që hynte në Shqipëri kopjohej me një masivitet të çudtshëm. Emigracioni krijoi një kulturë veshjesh të munguara më parë. Megjithatë shqiptarët ishin akoma skeptikë për të provuar ato që quheshin tendencat e fundit.

Lind pyetja se kur ka filluar të ndiqet lirisht moda në Shqipëri. Për këtë ndoshta nuk ka një datë të saktë. Organizimi i sfilatave të para në Shqipëri u prit me interes shumë të madh, madje disa stilistë u harruan shumë shpejt, ndërsa të tjerë i rezistuan fazës së tranzicionit dhe janë ende në treg.

Televizionet, kinematografia apo skenat e festivaleve kanë qenë në disa raste pikë orientimi, ku shiheshin modele të artistëve guximtarë, të cilët më pas mundoheshin të përshtateshin me njerëzit e thjeshtë.

Moda është një mundësi që i ofrohet të gjithëve, si të rinjve ashtu edhe të moshuarve, pasi hyrja në treg e të gjitha firmave u mundëson të jenë në kohezion me fjalën e fundit të modës.   

Por sfilatat e modës janë zhvilluar edhe në vitet ’60 në Shqipëri, veshjet e të cilave prodhoheshin në kombinatin e tekstilit “Stalin”, por pas vitit 1968 u zhduk komplet.

Për të diskutuar se si ka evoluuar moda tek shqiptarët në emisionin “Opinion” ishin të ftuar ish-Miss Kosova dhe prezantuesja Diellza Kolgeci, stilistja Krenare Rrugova, drejtuesja e revistës “Harmoni” Armina Mevlani, stilistja Enada At Nikolla, stilistja Anila Zajmi Katanolli, drejtuesja e revistës “Jeta” Fjodora Fjora, stilisti Joni Peçi dhe gazetari sportiv Dritan Shakohoxha./tvklan.al






Të ngjashme