Ishte lidhur me punonjësen, shkarkohet drejtori ekzekutiv


Ishte lidhur me punonjësen, shkarkohet drejtori ekzekutiv

20:55 04/11/2019

Kompania botërore McDonald’s ka shkarkuar nga detyra shefin e saj ekzekutiv Steve Easterbrook. Vendimi i bordit është marrë pasi Steve Easterbrook kishte krijuar lidhje me një punonjëse të kompanisë.

Drejtuesit e bordit thanë se marrëdhënia mes tyre ishte konsensuale, por “Easterbrook kishte shkelur politikën e kompanisë”, që ndalon marrëdhëniet me punonjësit/et.

Biznesmeni britanik fitoi gati 16 milionë Dollarë vitin e kaluar nga performanca e gjigandit amerikan të ushqimit. Ai gjithashtu ka të drejtë për një bonus, nëse kompania arrin objektivin e synuar sipas performancave të Steve Easterbrook. Në shkëmbim të kësaj, ish-shefi ekzekutiv ka rënë dakord që të mos punojë për asnjë prej kompanive konkurrente për të paktën 2 vite.

Në një email dërguar stafi, Easterbrook pranoi marrëdhënien me punonjësen dhe tha se kishte vepruar gabim. Steve Easterbrook 52 vjeç është i divorcuar dhe ka punuar për herë të parë për McDonald’s në vitin 1993 si menaxher në Londër. Ai u largua në vitin 2011 dhe u bë shef ekzekutiv i Pizza Express dhe më pas i kompanisë ushqimore aziatike Wagamama.

Në vitin 2013 u kthye sërish në McDonald’s  dhe u bë drejtuesi i saj për Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën veriore. Në vitin 2015 u emërua shef ekzekutiv i McDonald’s. /tvklan.al






Të ngjashme