Buxheti 2020 me fokus arsimin dhe shëndetësinë
Denaj: Nuk ka rrugë të reja, financojmë ato që kemi nisur
Buxheti i vitit 2020 do të ketë në fokus dy sektorë: arsimin dhe shëndetësinë. Gjatë raportimit në Konferencën e Kryetarëve, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha se fondet e arsimit janë rritur me 9% krahasuar me këtë vit, ndërsa ato të shëndetësisë me 5%.
Anila Denaj pranoi se përqindja e të ardhurave që buxheti do të mbledhë nga taksat është ulur krahasuar me këtë vit, nëse matet si përqindje e prodhimit kombëtar, por kjo sipas saj lidhet me dy faktorë: rënien e tyre përgjatë 2019-s dhe ngadalësimin e ekonomisë.
Buxheti i vitit 2020 nuk parashikon ndërtimin e asnjë vepre të re në infrastrukturë, por mbështet projektet e nisura: rrugën Kardhiq-Delvinë, Unazën e Tiranës, Elbasan-Banjë dhe By Pass-in e Shkodrës dhe Tepelenës.
Po ashtu do të vazhdojë mbështetja për veprat që janë me financim të huaj si By Pass-i i Fierit dhe Vlorës dhe rruga Qukës-Qafë Plloçë. Një pjesë tjetër e shpenzimeve kapitale do të financojnë rrugët që po ndërtohen në Partneritet Publik-Privat.
Qeveria pret që reforma e fiskalizimit, e cila do të implementojë raportimin në kohë reale të shitjeve të biznesit do të rritet për 3 vitet e ardhshme të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në 9.1% të prodhimit kombëtar dhe do të do të ulë ndjeshëm informalitetin.
Tv Klan