Klubi Partizani, Neptun Bajko – (16 Janar 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Megjithëse çeshtja e Partizanit ende nuk është mbyllur përfundimisht, futbollistët e saj nën drejtimin e trajnerit Genc Tomorri, vazhdojnë përgatitjet serioze për Kupën e Shqiperisë. Drejtuesit e rinj të Partizanit presidenti Xhani, teknikët Bajko, Lame etj, janë gjendur pranë lojtareve të cilët presin zgjidhjen e problemeve, pasi kanë disa kohë që nuk paguhen. Tekniku i klubit Neptun Bajko është optimist për të ardhmen e Partizanit.
Neptun Bajko:- “Puna në ekipin e Partizanit po vazhdon normalisht, në pikepamje të stërvitjes së ekipit dhe të drejtimit të klubit nga ana jonë, e vetmja vonesë nga ana jonë është nënshkrimi i kontratës nga Ministria e Mbrojtjes dhe Privatizimit. Kjo është një kontratë e tipit modern të funksionimit të një klubi. Jo ashtu siç ka funksionuar për 7-8 vjet, nën ndikimin e një shoqërie anonime, e cila ka vazhduar në mënyrë të pa ligjshme në çdo hap të saj dhe ne kësaj do t’i vëmë fshesën njëherë e përgjithmonë. Me nënshkrimin e kontratës do rifilloj jeta normale e klubit. Do rilind edhe njëherë Partizani në të gjitha pikëpamjet. Ne presim me ditë qe kontrata të firmoset nga Ministria e Mbrojtjes dhe Privatizimit dhe të gjitha problemet që ekzistojnë në klubin Partizani do mbarojnë përfundimisht. Vjedhjet, mashtrimet, trajtimi mafioz i klubit Partizani, mbaron njëherë e përgjithmonë./tvklan.al