Mekaniku shqiptar që u kthye në “kopshtar”


Mekaniku shqiptar që u kthye në “kopshtar”

11:02 18/11/2019

Paguante faturat mjekësore për të ëmën

Një i ri shqiptar është dënuar me burg në Britaninë e Madhe pasi pranoi se ishte marrë me prodhimin e drogave të Klasit B.

23-vjeçari R. Brahimaj u vu në pranga gjatë një aksioni të policisë më 14 Tetor. I riu u kap në një banesë në Spennymoor teksa përpiqej të arratisej nga mbrapa.

Aty ku qëndronte i riu ishte ngritur një fabrikë e sofistikuar për rritjen e kanabisit. Sipas prokurorit të çështjes, kati i dytë i ndërtesës kishte 316 bimë kanabisi.

I riu shqiptar jetonte në një prej dhomave. Në momentin e arrestimit, 23-vjeçari kishte dy celularë.

Sipas prokurorit, ai kishte dijeni për rëndësinë e operacionit të jashtëligjshëm që po kryhej. Avokati mbrojtës i të riut, Duncan McReddie, deklaroi se Brahimaj nuk ishte trafikuar, por kishte ardhur me dëshirën e vet në Britani.

I riu punonte që të paguante një borxh që kishte marrë për të paguar shpenzimet mjekësore të së ëmës, e cila vuante nga një sëmundje shumë e rëndë.

“Ishte mekanik, por në Shqipëri pagat ishin të ulëta dhe nuk mund të paguante borxhin”, është shprehur avokati.  

Gjykatësi dha një dënim prej 20 muajsh burg për të. Por ai nuk do ta vuajë të plotë dënimin, pasi kur të kryejë 10 muaj burg do të deportohet në Shqipëri. /tvklan.al






Të ngjashme