Një tragjedi e paralajmëruar? Haxhi Kabili: Ua pata thënë…
Haxhi Kabili, 52-vjeçari që kërkonte i dëshpëruar nxjerrjen e së bijës Aderinës nga rrënojat, tregon se e kishte pritur që pallati do të shembej në rast të një tërmeti tjetër, pas goditjes që mori nga ai i 21 Shtatorit.
Për fat të keq, e bija e tij Aderina u nxorr e pajetë nga rrënojat e pallatit 5-katësh gjatë orëve të fundit.
“Ka rënë tërmet vazhdimisht, shumë herë. Dhe unë që kam punuar në ndërtim e njoh rëndësinë e ndërtimit. Unë e kam pasur edhe me komshinjtë zakonisht, me njerëzit kur bëja muhabet, që ky pallat në rast se do të bjerë tërmeti tjetër do të shkrihet“.
E patët paralajmëruar?
E kam thënë unë, me gojën time.
Pati krisje pallati gjatë tërmeteve të këtyre 2 viteve?
Po pati krisje, i patëm riparuar.
Përse qëndruat në pallat?
Ku të shkojmë? Nuk kemi mundësi ekonomike.
Po banorët e tjerë, e biseduat me të tjerët për këtë pjesën e rrezikut që kanosej?
Ça kanë qenë në pallatin tim për shembull, i njoh çfarë ekonomie kanë.
Kanë qenë të pamundur?
Të pamundur.
U tha që ka pasur një ekspertizë nga shteti për pallatin si të pa banueshëm, është e vërtetë?
Ka pasur, kanë ardhur i kanë parë, i kanë filmuar, patën thënë disa fjalë.
Patën thënë që është i pabanueshëm?
Jo me vendim jo.
Pra ju thoni kanë qenë intensive tërmetet?
Po intensive./tvklan.al