350 banorë në qiell të hapur, pamjet dramatike nga Kruja


350 banorë në qiell të hapur, pamjet dramatike nga Kruja

19:05 28/11/2019

Tërmeti i 26 Nëntorit shkaktoi pasoja tragjike për jetët e dhjetërave njerëzve të cilët u bllokuan nën rrënoja. Zonat më të prekura janë Thumana dhe Durrësi, ku përveç viktimave janë shembur pallate dhe banesa.

Por edhe në Fushë-Krujë pallate dhe banesa të shumta kanë pësuar dëmtime të mëdha. Gazetari Spartak Koka ishte në një bllok pallatesh 8-katëshe ku raportoi për dëmtime të theksuara në strukturën e brendshme të ndërtesës.

“Jemi në Fushë-Krujë në një bllok pallatesh 8-katëshe. Situata është dramatike. Ka dëmtime të theksuara në strukturën e brendshme të pallatit. Është kjo çarja që ka shkaktuar në katin e parë. Edhe në pjesën tjetër është e dëmtuar”, tha gazetari Koka.

Nga pamjet e siguruara nga tvklan.al dallohen çarjet e mëdha të murit ndarës. Tek ky pallat momentalisht nuk ka asnjë banor për arsye sigurie.

Nga të dhënat që tvklan.al ka arritur të grumbullojë rezulton se deri në këto momente janë 6 pallate dhe të paktën 46 banesa të cilat janë klasifikuar si të pabanuara. Ndërkohë rreth 350 persona janë në qiell të hapur dhe do duhet të strehohen diku tjetër.

Por situatë e rëndë paraqitet edhe në Kalanë e Krujës. Shkëmbi nën Kullën e Sahatit rrezikon të shembet prandaj asnjë makinë nuk duhet të kalojë pasi shton mundësinë që masivi shkëmbor të bjerë.

/tvklan.al






Të ngjashme