Banesat e dëmtuara duhen shembur apo jo? Përgjigjet inxhinieri Agim Seranaj


Banesat e dëmtuara duhen shembur apo jo? Përgjigjet inxhinieri Agim Seranaj

17:57 02/12/2019

Pas tërmetit kemi një bilanc tragjik të viktimave dhe të lënduarve, por gjithashtu edhe një bilanc shumë të madh të dëmeve në ndertesa. Në Durrës po shkon drejt përfundimit faza e inspektimit të objekteve, të cilat duhen prishur patjetër dhe dje janë shembur disa hotele te njohura të zonës së plazhit.

Në Thumanë, Durrës, zonat përreth, por edhe në Tiranë ka filluar verifikimi i dëmeve. Shumë qytetarë kanë mbetur mes katër rrugëve, shtëpi të pabanueshme, mure të krisur dhe dilema e madhe është çfarë do të ndodhë tani.

I ftuar në programin “Historia ime” në Tv Klan, inxhinieri Agim Seranaj tregon se nuk është vetëm tërmeti shkaktari i dëmeve të mëdha që kanë zonat e prekura, por gjithashtu edhe faktori njerëzor.

Dallohet thjesht që nuk është vetëm faji i fenomenit natyror, por është edhe faji i njerëzve që kanë bërë gabime të ndryshme apo me dashje, apo nga pakujdesia, por përgjithësisht me shkelje ligjore duhet të kenë qenë. Kjo në fakt ka një shpërndarje në të gjithë zonën duke filluar që nga Golemi, pastaj në gjithë zonën e Durrësit. Po në këto zona, shumica e objekteve nuk kanë pësuar dëme. Kjo tregon që me të njëjtën forcë, dëmet janë të niveleve të ndryshme. Në fakt nuk është vetëm njëra karakteristikë, në fakt ka shumë parametra që shkaktojnë reagimin e stukturës, por shumë nga ato janë evidente për t’u kuptuar që janë gabime njerëzore. Kurse një pjesë e dëmtimit është ndoshta e vështirë që të thuhet me këto ditë inspektimi, duhet inspektim i thelluar për të gjetur shkakun e vërtetë, apo disa nga shkaqet që mund të jenë bërë bashkë që kanë sjellë atë dëmtim”.

Më tej, ai shton se duhet të ishte bërë ekpertizë tek ndërtesat që shfaqen shenja se kishin probleme pas tërmetit të 21 Shtatorit.

Tërmeti i 21 Shtatorit ne na dha shenja që kemi probleme, por sikur u nxituam që të themi ne nuk kemi probleme. Dhe shumica e zërave, pas tërmetit të 21 Shtatorit u munduan të thonë me krenari që nuk kemi probleme, se ky ishte një tërmet i fortë dhe nuk pati dëme. Në fakt edhe ai tërmet që nuk ishte i fortë, i dha shenjat që në disa objekte duhet të ndalemi për të bërë ekspertizë se ato kanë probleme dhe i kishin. Kështu edhe ky tërmeti tani, na tregon këtë gjë se në Tiranë ka probleme me shumë objekte, për tërmete më të fuqishëm se ky”. /tvklan.al






Të ngjashme