Mitrovicë situata e rënduar – (6 Shkurt 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Mitrovica ka pritur sot Bernard Kushner. Ai ka shkurtuar vizitën në Japoni ku kishte shkuar të kërkonte fonde dhe ka shpejtuar kthimin që të inkuadroj nga afër dhe drejtëpërdrejtë për të ndërpreë zhvillimet e rrezikshme në qytetin e ndarë.
Në veri të Mitrovicës sot gjendet edhe një grua e vrarë, e cila e çon në nëntë numrin e shqiptarëve të vdekur në këtë qytet, nga paramilitaret serb, për dëbimin e shqiptarëve. Për shkak të vazhdimit të sulmeve edhe gjatë ditës së sotme nga veriu i Mitrovicës ka filluar largimi i shqiptarëve të fundit në përkujdesjen e UNHCR-së dhe sigurimin e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare.
Në veriun e Mitrovicës vazhdon situata e rrezikshme dhe e tensionuar, banda kriminale që arrijnë nga Serbia vendosen në shtëpitë dhe banesat e shqiptarëve. Ndërsa në pjesën jugore të qytetit sot paradite situata duket më e qetë. Nuk ka pasur grumbullime protestash të qytetarëve shqiptar tek ura e lumit Ibër. Subjektet e qytetit ju kanë bërë thirrje shqiptarëve që të ndërpresin grumbullimet e protestat, duke vlerësuar se ato pengojnë përpjekjet për stabilizimin e gjëndjes në veri.
Dje pjesmarrësit e KFOR-it përdorën bomba me gaz lotsjellës për shpërndarjen e mijra protestuesëve shqiptar, të cilët u kundërpërgjigjën duke qëlluar me mjete të forta. Gjatë kësaj përleshje janë plagosur mëse 33 protestues dhe 8 ushtarë francezë. Ndërsa në gjendje të rëndë është një djalë 15 vjeçar i plagosur me armë zjarri./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori