SHBA nis luftë tregtare edhe me Francën
Parisi kishte marrë vendim për taksimin e Google, Facebook dhe Apple
SHBA pritet të vendosë tarifa për një gamë të gjerë produktesh franceze me një vlerë 2.4 miliardë Dollarë, si hakmarrje ndaj taksës dixhitale që Franca pritet që ta zbatojë ndaj kompanive teknologjike.
Në listë përfshihen disa produkte si shampanja, çantat e dorës, djathërat, artikujt kozmetikë dhe prodhimet e porcelanit.
Përfaqësuesi i Tregtisë Amerikane, Robert Lighthizer, është shprehur se vendimi i Francës për të taksuar deri 3 për qind gjigandët amerikanë të teknologjisë si Google, Apple, Facebook dhe Amazon do t’i dëmtojë edhe më shumë marrëdhëniet tregtare.
Nga ana e tyre, kompanitë amerikane të teknologjisë thonë se ligjet e tilla i detyrojnë ato të paguajnë taksë të dyfishtë.
Taksa dixhitale do të zbatohet nga fillimi i 2020-ës për çdo kompani me xhiro vjetore në Francë deri 25 milionë Euro dhe në botë me xhiro vjetore deri në mbi 750 milionë Euro.
Administrata amerikane pritet që të njëjtën gjë të bëjë edhe ndaj Austrisë, Italisë si dhe Turqisë që edhe ato shumë shpejt pritet të aplikojnë taksën dixhitale.
Para hyrjes në fuqi të tarifave të reja doganore ndaj produkteve franceze, Agjencia Amerikane për Tregtinë Ndërkombëtare ka planifikuar konsultime publike nga Janari i ardhshëm.
Klan Plus