Morën peng maqedonasin për 250 mijë euro, arrestohen 2 persona
Albert Xhoka dhe Sokol Masha u vunë në pranga nga policia
Dy persona janë vënë në pranga dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë pasi akuzohen se morën peng një 23-vjeçar nga Maqedonia duke i kërkuar shumën prej 250 mijë eurosh.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e së premtes në kryeqytet, ndërsa janë arrestuar Albert Xhoka 41 vjeç dhe Sokol Masha 42 vjeç. Nën kërcënimin e armës ata rrëmbyen 23-vjeçarin Davor Velefski duke i kërkuar shumën e parave.
Për këtë ngjarje po hetohet në gjendje të lirë Subi Ethemi 50-vjeç nga Maqedonia me akuzën “Moskallëzim krimi”. Burime për TV klan thonë se policia mori informacion se në një makinë tip “BMW” po qarkullonin persona të armatosur.
Forcat e rendit i kanë bërë shenjë makinës të ndalojë, por drejtuesi i mjetit nuk është bindur. Pas disa minutash ndjekje, makina është bllokuar pranë kodrave të liqenit të Farkës, ku dhe u arrestuan autorët dhe u lirua pengu.
Këta të fundit gjatë marrjes në pyetje pretenduan se nuk ishte pengmarrje, por kërkuan nga i riu kthimin e një borxhi prej 250 mijë eurosh. Mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat “Heqje e padrejtë e lirisë” dhe “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Tv Klan