Shkarkohet Ben Blushi – (26 Shkurt 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Shkarkohet nga detyra zëvendës ministri i Jashtëm Ben Blushi. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga burime të kryeministrisë. Motivacioni i shkarkimit të zv/ministrit të Jahtëm Ben Blushi ka qenë shkelje e disiplinës në punë. Vendimi është marrë sot pasdite në një mbledhje urgjente të këshillit të ministrave. Por burime të kabinetit qeveritar e lidhin vendimin e shkarkimit të numrit dy të diplomacisë shqiptare me botimin në shtypin e sotëm të process verbalit sekret të takimit të kryeministrit Ilir Meta me sekretaren amerikane të shtetit Medlin Ollbrajt në Tiranë.
Ben Blushi ishte emëruar në këtë post pas krijimit të kabinetit Meta. Ai është anëtar i komitetit të përgjithshëm drejtues të PS dhe ka kandiduar dy herë për vendin e sekretarit të marrëdhënieve ndërkombëtare të kësaj partie.
Blushi njihet brenda radhëve të PS si njëri prej përkrahësve të kryetarit socialist Fatos Nano. Si zv/ministër i Jashtëm Blushi ishte angazhuar më tepër me projektet e Shqipërisë në kuadër të paktit të stabilitetit në përpjekje të saj për fillimin e negociatave në Bashkimin Europian./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame