Takimi për gjyqësorin, Presidenti Mejdani dhe Kryeministri Majko akuza për drejtësinë (13 Janar 1999)


Takimi për gjyqësorin, Presidenti Mejdani dhe Kryeministri Majko akuza për drejtësinë (13 Janar 1999)

11:28 13/01/1999

Qytetarët nuk kanë më besim tek drejtësia pasi 90% gjykatësve janë të korruptuar dhe marrin rryshfete për të liruar kriminelet. Kryeministri Majko ka lëshuar akuza të rënda për gjyqësorin shqiptar në prani të Presidentit Mejdani, Ministrit të Drejtësisë Thimio Kondi dhe autoriteteve më të larta të drejtësisë.

125 mijë dollarë i ka kushtuar shtetit projekti i Ministrisë së Drejtësisë për planin e riorganizimit të gjyqësorit. Por kjo shumë nuk ka bindur Presidentin Mejdani, njëkohësisht Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili ka hedhur hije dyshimi për përdorimin e tyre duke i kërkuar Ministrisë së Drejtësisë një raport të hollësishëm.

Presidenti Mejdani ka kërkuar pastrimin e drejtësisë nga të korruptuarit e të paaftët duke filluar menjëherë testimin e të gjithë gjyqtarëve. Mejdani ka kundërshtuar idetë për Këshillin e Lartë të Drejtësisë i cili sipas Presidentit nuk eshte organ kualifikimi dhe nuk ka aftësi ligjvënëse. Idetë tuaja, i është drejtuar Presidenti Mejdani, drejtuesve të Drejtësisë i përkasin pesë vjeçarit tjetër. Njerëzit tani kanë nevojë të shohin një drejtësi të pakorruptuar që të ndëshkojë kriminelët.

Gjatë fjalës së tij Majko tha : ” E konsideroj të drejtë synimin për përmirësime të shpejta në sistemin e vuajtjes së dënimeve në përpjekje që të krijohet një kulturë pune në trajtimin e të burgosurve dhe garantimin e lirive dhe të drejtave te tyre, pasi dhe kjo është një mangësi e sistemit të drejtësisë shqiptare. 90% e gjyqtarëve janë të korruptuar dhe 70 % e të anketuarve nuk kanë besim tek drejtësia. Lufta kundër krimit të organizuar, kontrabandës, degradimit të administratës, masat ligjore, perfeksionimi i rendit, perfeksionimet institucionale, dënimet e rrepta ndaj bartesve të korrupsionit, pengesat ligjore që i presin rrugën kësaj “sëmundje” që dobëson shtetin shqiptar bëhet vetëm mbi bazamentin e një drejtësie funksionale por sidomos të pakorruptuar./tvklan.al

Gazetar : Vladimir Lame






Të ngjashme