5 ditë pas martesës çifti gjendet i helmuar në dhomë
Humb jetën 19-vjeçarja, burri në gjendje të rëndë
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Xhyrë të Librazhdit. Një çift të rinjsh të martuar vetëm 5 ditë më parë janë gjetur të helmuar në dhomën e tyre.
Për pasojë ka mbërritur e pa jetë në spital Rezarta Hajdari 19 vjeç dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën bashkëshorti i saj Olsian Hajdari 27 vjeç.
Ende mbeten mister shkaqet e kësaj ngjarje. Ka qenë nëna e Olsianit ajo që ka trokitur në mëngjes në dhomën e çiftit dhe i ka gjetur ata të helmuar.
Ajo ka dhënë alarmin dhe çifti është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Librazhdit, por sipas mjekëve dhe policisë, 19-vjeçarja ka mbërritur pa shenja jete.
Familjarët shprehen se nuk kanë vënë re asgjë të dyshimtë te çifti i ri.
Mjekët thanë paraprakisht se bëhet fjalë për helmim, por pa dhënë detaje deri në përfundimin e akt-ekspertizës.
Tv Klan