Deklarata e partive politike për gjendjen në Kosovë (18 Janar 1999)
Deklaratën e partive politike parlamentare për gjendjen në Kosovë e lexon republikani Fatmir Mediu.
“Ne partitë politike parlamentare të Republikës së Shqipërisë të mbledhura sot më 18 Janar 1999 në Tiranë, duke përjetuar me shqetësim të thellë përshkallëzimin e dhunës në Kosovë si pasojë e veprimeve barbare të ushtrisë së Millosheviçit, duke e konsideruar masakrën ndaj personave civile në Reçak midis të cilëve gra e fëmijë, si vrasje makabër në gjakftohtësi dhe përsëritje të krimeve kundër njerëzimit të kryera më parë nga Millosheviçi në Kosovë dhe pjesë të tjera të ish Jugosllavisë, duke e konsideruar deklaratën e fundit të Ministrit të Jashtëm Jugosllav, si një paralajmërim të qartë por edhe si një akt që dhunon konventat ndërkombëtare që e bën legjitime vetëmbrojtjen si dhe mbrojtjen kolektive të shqiptarëve vendosëm: “Të mbështetim me të gjitha mënyrat e ligjshme e legjitime përpjekjet e shqiptarëve në Kosovë, për mbijetesë, ekzistencë, vetëmbrojtje si dhe përpjekjet e unifikuara politike për vetëvendosjen duke respektuar parimin e mosndryshimit me dhunë të kufijve ndërkombëtare. Të angazhohemi të gjithë forcat politike shqiptare të mbeshtesin faktorin politik e ushtarak në Republikën e Kosovës. T’i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë si dhe shqiptarëve kudo që ndodhen në botë të jenë të ndërgjegjshëm për situatën e krijuar dhe të shprehin solidaritetin e tyre ndaj përpjekjeve të shqiptarëve në Kosovë sipas parimit një komb një qendrim. T’i bëjmë thirrje faktorëve shqiptarë politikë e ushtarakë të formojmë grupin e përbashkët negociator për të përfaqësuar vullnetin politik për vetëvendosje të popullit të Kosovës në tryezat në bisedime me faktorë të tjerë. T’i kërkojmë njëzëri komunitetit ndërkombëtar në radhë të parë NATO-s si dhe gjithë qeverive mike, para së gjithash atyre amerikane dhe europiane që të angazhohen dhe të përdorin realisht forcën ushtarake, pasi vetëm kjo mund ta çojë Beogradin në qëndrime të arsyeshme. T’i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë gjykimin e Sllobodan Millosheviçit pranë Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë si autor madhor direkt i krimeve të luftës e kundër njerëzimit.”/tvklan.al