Ministri Koçi mbledhje për situatën në kufirin verilindor (18 Janar 1999)
Ministri i Rendit Publik, Petro Koçi, ka mbledhur sot vartësit e tij për të diskutuar në lidhje me situatën e rënduar në kufirin tonë verilindor. Drejtori i Policisë Kufitare dhe i Logjistikës kanë raportuar para ministrit Koçi për masat e marra në sigurimin e rendit atje. Në Prefekturën e Kukësit janë dërguar ekipe pune të cilët do operojnë me situatën që po rëndohet gjithnjë e më shumë.
Gjendja në zonën verilindore u kosnsiderua tepër serioze gjatë takimit ndaj ministri Koçi caktoi një sërë masash operativo-ushtarake në fushën e rritjes së gadishmërisë së forcave të kufirit për t’iu përgjigjur në çdo moment provokimeve të ndryshme. Ministri Koci kërkoi që të përcaktoheshin detyra konkrete për realizimin e bashkëpunimit me institucione te tjera si ushtria, pushteti lokal dhe SHIK-u.
Forcimi i gadishmërisë, ruajtja e kufirit dhe sigurimi i rendit atje, në situatën e tanishme të imponuar nga gjendja në Kosovë, kërkon një përkushtim maksimal ka thënë Koçi në takimin e sotëm. Gjithashtu ai u premtoi vartësve të tij se Ministria do të mbështesë forcat e kufirit dhe policisë me çdo bazë materiale të nevojshme për përballimin e situatës./tvklan.al
Gazetar : Eduart Frangaj