Vizitat e politikanëve në Selinë e Komunitetit Musliman për festën e Bajramit (19 Janar 1999)
Festa e Bajramit ka mbledhur në Selinë e Komunitetit Mysliman besimtarë, politikanë, gazetarë dhe diplomatë të huaj. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Mariza Lino ka qënë e para që ka shkelur në Selinë e Komunitetit Mysliman duke i përcjellë kryemuslimanit Hafiz Sabri Koçi mesazhin e bashkëjetesës së njerëzimiz pa dallim feje.
Presidenti Mejdani, Kryeministri Majko dhe Kryeparlamentari Gjinushi kanë preferuar të urojnë së bashku festën e Bajramit. Kryeministri Majko duke marrë shkas nga emërimi i një të riu si nënkryetar i Komunitetit Musliman u shpreh se muslimanët po marrin shembull nga socialistët duke zëvëndësuar të vjetrit me të rinjtë.
I shoqëruar nga zonja e tij dhe lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha ka ardhur të urojë festën e Bajramit në selinë e Komunitetit Musliman. Gjatë takimit mes demokratëve dhe krerëve të muslimanizmit në Shqipëri, biseda u përqëndrua tek situata në Kosovë dhe tek ajo pjesë e kombit e cila po kalon momente të vështira e dramatike. Urimi i të gjithëve ishte që Bajrami i vitit 2000 të mos e gjejë Kosovën me bilance viktimash e masakrash si këtë vit./tvklan.al