Shqipëria kalon me vështirësi testin e Pisa


Shqipëria kalon me vështirësi testin e Pisa

16:00 17/12/2019

Nxënësit dalin dobët në lexim dhe matematikë

Testimi i Pisa 2018 është kaluar me vështirësi nga nxënësit shqiptarë. 15-vjeçarët e testuar në lexim, matematikë dhe shkenca janë renditur nën nivelin mesatar. Rezultatet më të dobëta ishin në lexim. Për ekspertët këto rezultate tregojnë problemet e arsimit.

“Arsimi është duke bërë hapa prapa, nuk është vetëm problemi i teksteve, por i të gjithë kurrikulës. Është problemi i gjithë funksionimit të shkollës, është problemi i përzgjedhjes së mësuesve, i formimit të këtyre mësuesve”, thotë Agim Duka, ish-Drejtori i Bordit të Monitorimit të Teksteve.

Ndryshimi i kurikulave në sistemin parauniversitar dhe mosrakordimi me universitetet shihet si një tjetër problem që ka krijuar një boshllëk mes dy cikleve.

“Tekstet e gjimnazit e klasës së 10 dhe të 11, lëndën e matematikës, niveli i njohurive që japin thuajse se është një përsëritje e njohurive që marrin në arsimin e mesëm-të lartë. Këta nxënës, kur të shkojnë në universitet do të kenë probleme të mëdha për të kapur programet e universitetit”, shton Duka.

Mes 79 vendeve të botës, Shqipëria është renditur e 61 duke shënuar rënie me 10 vende nga testimi i realizuar në vitin 2015. Për këto rezultate, Ministria e Arsimit thotë se për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të shkaktuar nga tërmeti, rezultatet e Pisa 2018 do t’i analizojë në një moment të dytë.

Tv Klan






Të ngjashme