“Muzika është bërë për t’u ndarë me njerëzit”
Genc Tukiçi sjell “Ju flet Tirana” në bashkëpunim me vajzën e tij Nadia
Genc Tukiçi është një ndër pianistët dhe kompozitorët që ka prekur me muzikën e tij skenat ndërkombëtare. Ai ka lindur në një familje ku kryefjala ka qenë muzika dhe nuk mund të mos shkëlqente me talentin, punën dhe përkushtimin e tij.
I ftuar në emisionin ”Rudina” në Tv Klan, Tukiçi ka ardhur së bashku me vajzën e tij Nadia. Ata kanë rrëfyer në studio marrëdhënien si babë dhe bijë, por edhe për pjesëmarrjen e tyre për herë të parë në një festival të dy bashkë.
Genc Tukiçi kthehet në skenën e festivalit të RTSH-së për herë të tretë, pas vitit 2015 dhe 2016, por këtë herë ai do të ngjitet për herë të parë në skenë krah për krah me vajzës e tij 18-vjeçare Nadia. Kënga e tyre e kompozuar nga vetë Tukiçi mban titullin “Ju flet Tirana” dhe është regjistruar para një viti. Ideja fillestare ishte që kënga të vinte në kuadër të festimeve të 80-vjetorit të Radios. Por, më pas vendosën që kënga të ishte pjesëmarrëse e Festivalit të 58-të të RTSH-së.
“Kur e mbarova këngën, bëmë një regjistrim dhe i thashë Nadias ta çojmë njëherë në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar. Nadia më tha jo, se ajo është në universitet dhe unë kam punë në Paris. Po i thashë, po ta mbajmë vetëm në shtëpi, do ta dëgjojmë vetëm ne dhe muzika është bërë për t’u ndarë me njerëzit, ndërsa aty do kemi një kujtim shumë të bukur. E çuam në festival pa asnjë lloj pretendimi dhe ajo ka hyrë në festival dhe ne do ta këndojmë”. /tvklan.al