PD: Kreu i SPAK, ushtar i diktaturës


PD: Kreu i SPAK, ushtar i diktaturës

15:43 21/12/2019

Arben Kraja: Kam rezultuar i pastër nga organet e drejtësisë

Një dokument i publikuar në internet se kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka qenë hetues në kohën e komunizmit, solli reagimin e Partisë Demokratike. Selia Blu thotë se integriteti i Arben Krajës është i komprometuar.

Një dokument i Korrikut 1990, i bërë viral ditën e djeshme, ka zbuluar se Drejtuesi i SPAK-ut Arben Kraja, ka marrë pjesë në procese politike, duke i shërbyer regjimit diktatorial deri në grahmat e tij të fundit. Partia Demokratike ka bindjen se një ushtar i diktaturës më të egër në Europë, që dënon qytetarët me motivacionin “për dëmtim të moralit komunist” nuk mund të jetë shërbëtor i shtetit të së drejtës. Përveçse një hetues i diktaturës, drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja, është propozuar nga PS si zëvendëskryetar i KLSH dhe ka punuar në Kryeministri për qeverinë e PS.

I pyetur nga Televizioni Klan për këtu akuza, kreu i SPAK, Arben Kraja thekson se ka rezultuar në rregull pas verifikimeve të organeve të drejtësisë.

“Unë kam deklaruar çdo ditë të punës time, nga 1 Dhjetori 1988 deri sot. Jam verifikuar nga autoriteti dosjeve, KPK, DSIK, e të gjithë strukturat që ligji i ngarkon të kryejnë verifikime. Kam dal ok. Nuk kam asnjë koment tjetër. Kam shumë punë dhe nuk kam kohë të merrem me fjalë.

Për Partinë Demokratike,edhe roli i anëtarit të SPAK, Altin Dumanit, është i kompromentuar gjithashtu, pasi është fotografuar një ditë para garës për kreun e kësaj strukture me deputetin socialist, Ulsi Manja. Partia Demokratike thotë se dy anëtarët duhet të shohin mundësinë për t’u larguar nga detyra e re.

Demokratët shprehën mbështetje për strukturën që do të hetojë korrupsionin në nivelet e larta shtetërore dhe krimin e organizuar, por për dy rastet kërkuan nga ndërkombëtarët që t’i  përmbahen garancisë që i kanë dhënë popullit shqiptar për të siguruar pavarësinë e SPAK.

Tv Klan






Të ngjashme