Basha: Qeveria mungesë ndjeshmërie ndaj Kosovës
“S’do ketë kurrë fqinjësi të mirë pa Kosovën”
Lulzim Basha është shprehur me tone të ashpra në adresë të qeverisë dhe Kryeministrit Rama lidhur me samitin e Mini-Shengenit. Për kreun e opozitës, fqinjësia e mirë në Ballkanin Perëndimor kurrsesi nuk mund të arrihet duke përjashtuar Kosovën.
“E konsideroj të papranueshëm moskonsultimin e qeverisë shqiptare me Kosovën për këtë iniciativë dhe bërjen pjesë të saj pa e kushtëzuar paraprakisht pjesëmarrjen e Shqipërisë me praninë e Kosovës. Ndihem i turpëruar që qeveria e Shqipërisë nuk demonstron empati dhe përgjegjësi për plagët e pambyllura të Kosovës, pikërisht në këtë periudhë kur populli i saj u ngrit i gjithi në këmbë e me zemër të hapur në solidaritet për të ndihmuar, si e me sa të mundeshin familjet e prekura nga tërmeti”.
Si parti e qendrës së djathtë, thotë se mbështet tregtinë dhe qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe krahut të punës, por Basha e sheh të pashpjegueshme nevojën për një nismë të re rajonale.
“Për këto qëllime kemi nisma të tjera me synime të ngjashme, siç është CEFTA e cila është dëshmuar tashmë si model i suksesshëm për integrimin rajonal dhe përgatitjen e të gjitha vendeve të Europës Qendrore e Lindore për integrimin në BE. Kjo qeveri po e saboton këtë organizatë duke shtyrë përpara një nisëm të re që e rivalizon dhe i mbivendoset”.
Propagandë i cilëson takimet e zhvilluara deri më tani në procesin e Mini-Shengenit, për të cilat thotë se kanë si qëllim të largojnë vëmedjen nga dështimi me hapjen e negociatave dhe keqqeverisja.
Tv Klan