Rrëmbehet dhe lirohet komisar Sokol Koçiu (23 Janar 1999)
Vetëm pak ditë pas miratimit të ligjit antigomone në Parlament dhe sekuestrimit të mjeteve lundrues, disa skafistë vlonjatë kanë marrë peng Shefin e Komisariatit të Vlorës, Sokol Koçiu, i njohur në luftën kundër krimit dhe transportit ilegal të klandestinëve.
Ndërsa po ecte në rrugën e Skelës disa pronarë të gomoneve të sekuestruara, i kanë dalë përpara dhe duke ushtruar forcë e kanë detyruar të shkojë me ta. Menjëherë kanë mbërritur forcat e policisë por për të shmangur ndonjë incident komisar Koçiu i ka larguar të gjithë policët duke e lënë veten në duart e skafistëve të cilët e kanë dërguar në det të hapur.
Në det, skafi ku qëndronte i marrë peng Koçiu ka kaluar pranë anijes së batalionit italian “San Marko”, të cilët e kanë shoqëruar me sy. Sokol Koçiu i angazhuar me ligjin antigomone, para dy ditësh ka qënë në Durrës për të bashkërenduar punën me Guardia di Finanza si rezultat i së cilës u sekuestruan 6 gomone.
Pasi kanë qëndruar për katër orë ne Ishullin e Sazanit skafistët e kanë detyruar Koçiun të lidhej me vartësit e tij dhe të urdhëronte lirimin e gomoneve të tyre. Vetëm pas kësaj komisari është lënë i lirë dhe u shoqërua në breg. Rreth orës 14:30 pasi ka shkuar në zyrën e tij Koçiu është lidhur me Ministrin e Rendit Petro Koçi i cili nga ana e tij shprehu besim të plotë tek personaliteti dhe profesionalizmi i tij./tvklan.al
Gazetar : Eduart Frangaj