Parlamentarët kosovarë (25 Janar 1999)


Parlamentarët kosovarë (25 Janar 1999)

12:27 25/01/1999

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademiku Idriz Ajeti i shoqëruar nga parlamentarë të tjerë dhe kryetari i grupit negociator, akademiku Fehmi Agani zhvilluan sot një sërë bisedimesh në Parlamentin Shqiptar. Në takimin me Kryeparlamentarin Gjinushi, kryetarin e komisionit të politikës së jashtme Godo si dhe grupin parlamentar socialist dhe demokrat, delegacioni i Parlamentit të Kosovës ka theksuar domosdoshmërinë e krijimit të një grupi te ri negociator. Ky grup do të përfaqësojë edhe mendimin e përbashkët të të gjitha forcave politike si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri në mbledhjen e Grupit të Kontaktit që do zhvillohet në Austri.

Idriz Ajeti, Kryetari i Kuvendit te Kosoves shprehet: Të bashkohemi të gjithë shqiptarët, me një zë të veprojmë. Kjo ishte kryesorja nëqoftëse e arrijmë këtë do të jetë shumë mirë përndryshe kemi mbaruar pothuajse, substanca shqiptare do të fiket nëqoftëse nuk bashkohemi.

Skënder Gjinushi tha: Është i domosdoshëm kontakti direkt, kjo është e reja, ndonëse Kosova në kushte të vështira dhe homologet tanë kolegët tanë nuk e kanë të lehtë të zhvendosen në këtë situate. Megjithatë, meqënëse tashmë ne shpresojme që do shkohet drejt negociatave sepse komuniteti nuk mund të pajtohet me vazhdimin e konfliktit ai ka arritur pikën e ngopjes, tashmë Kosova është kthyer në një Bosnje e dytë nuk mund të thuhet më që s’do lejohet Bosnje e dytë etj. Tani duhet përdorur të njëjtat metoda si në Bosnje. Rrjedhimisht kjo flet për negociata të vështira. Komiteti Ndërkombëtar vetë s’është unik, madje do thoja që shpesh ata mungesën e unitetit brenda tyre kërkojnë t’a adresojnë tek shqiptarët.

Ndërkohë Veton Surroi shtoi: Është arritur një konsensus i rrallë në Shqipëri rreth çeshtjes së Kosovës, do të thotë ekziston një njëzëshmëri e partive politike të shprehura në Parlament dhe një aktivitet në atë drejtim. Pozicionet e ardhshme janë arritja e një konsensusi brenda forcave politike dhe ushtarake kosovare për një ekip negociator./tvklan.al

Gazetare : Ornela Bega






Të ngjashme