Shfrytëzimi i fëmijëve në Shqipëri, reagojnë Parlamentarët Europianë (30 Janar 1999)


Shfrytëzimi i fëmijëve në Shqipëri, reagojnë Parlamentarët Europianë (30 Janar 1999)

09:19 30/01/1999

Fëmijët shqiptarë ndihen të rrezikuar. Në Shqipëri fëmijët shfrytëzohen njëlloj si në afrikë. Kështu ka deklaruar në Këshillin e Europës një anëtare e tij italiane që ka studiuar për një kohë të gjatë rastet e shfrytëzimit të fëmijëve shqiptarë. Rasti më flagrant është shitja e organeve të tyre në tregun e zi ndërkombëtar.

Të ndodhur pa ndihmë dhe pa mbrojtje, fëmijët në Shqipëri janë një karrem i lehtë për t’u shndërruar në viktima të trafikut të organeve. Edhe pse autoritetet shqiptare e mohojnë kategorikisht këtë fakt, të huajt shkojnë deri aty sa japin dhe shifra konkrete. Disa qindra miliona lekë kushton zemra e një vogëlushi shqiptar.

Në mbledhjen e djeshme në Strasburg, parlamentarët europianë kërkuan që të shtojnë më shumë ndihmën e tyre për këtë plagë të re në Shqipëri. Përveç historive të shitjes së organeve të tyre, fëmijët e vegjël janë shtuar gjithnjë e më shumë në rrugët e semaforët e kryeqytetit. Fëmijë që lypin, që shesin paketa cigaresh apo që pastojnë makinat.

Këto pamje tashmë po mësohemi t’i shohim çdo ditë por të gjitha këto raste dhe pse sot mund të pranohen me indiferentizëm përbëjnë shkeljen më elementare të të drejtave të njeriut. Ndaj duke nisur që nga prindërit e tyre dhe shoqatat që merren me ruajtjen e fëmijëve, duhen parandaluar që fenomene të tilla të mos zmadhohen pasi nesër do të jetë tepër vonë./tvklan.al

Gazetar : Eduart Frangaj






Të ngjashme