Drejt fundit rindërtimi i 233 banesave
U preken nga tërmeti i 21 shtatorit
Drejt përfundimit shtëpitë e rindërtuara të 233 familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit.
Gjatë inspektimit të punimeve në disa objekte në Manëz dhe ish-kënetë në Durrës, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka tha se asnjë shtëpi nuk do të mbetet grumbull rrënojash.
“Angazhimi ynë është që asnjë qytetar të mos mbetet pa shtëpi dhe që asnjë shtëpi të mos mbetet grumbull rrënojash. 2020 është viti i rindërtimit”, deklaroi ministrja Xhaçka.
Projekti i rindërtimit të 233 banesave po realizohet nga Fondi Rezervë i buxhetit të shtetit në masën 470 milion lekë dhe nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, programi “Emergjencat Civile” në vlerën 90 milion lekë. I gjithë procesi po ndiqet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile”.
Xhaçka tha se edhe për banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, do të nisë shumë shpejt rindërtimi i tyre.
Tv Klan