Majko: Mendoj se do ketë një votim tërësisht politik në zgjedhjet lokale
Autori: Blendi Fevziu
23:58 28/03/2011Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion”, nga ku foli për zhvillimet e fundit politike të PS. Kjo e fundit, pak më parë bëri publike listën e kandidatëve në zgjedhjet lokale.
Në lidhje me vështirësinë për gjetjen e kandidatëve, Majko u shpreh: “Mund t’ju them që edhe në 2007 pak a shumë në këto kohëra kemi qenë duke i regjistruar kandidatët. Sidomos për zgjedhjet lokale, vështirësia nuk është te gjetja, por tek selektimi, pasi është proces shumë delikat, i cili nuk mund të orientohet me një proces manual. Është pak e vështirë të thuash që i njëjti sistem rregullash që mund të funksionojë për selektimin në një zonë të caktuar, mund të funksionojë edhe në një zonë tjetër. PS padyshim që ka kritere universale që kanë të bëjnë me mundësitë e individit për të fituar ose për të humbur. Sigurisht që ndonjëherë është tepër e vështirë për ta bërë këtë në mënyrë të përkryer sepse zgjedhjet lokale edhe në perceptimin publik, por edhe të momenteve shpesh të personalizuara midis kandidatëve krijojnë probleme të natyrave të ndryshme. Ne jemi përpjekur që këto të vendosen në plan sa më dytësor, me qëllim që të zgjidhet më i miri. Jemi të bindur që kemi bërë atë që mund të bëhet brenda mundësive, mund të bëhej dhe më mirë. Mendoj se do ketë një votim tërësisht politik”./tvklan.al