Kadare kundër Prokurorit Arben Rakipi (1 Shkurt 1999)


Kadare kundër Prokurorit Arben Rakipi (1 Shkurt 1999)

11:35 01/02/1999

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare pas akuzimit të para disa ditëve të prokurorëve duke i quajtur si forcë destabilizuese në vend dhe pas përgjigjes në shtyp të Kryeprokurorit Arben Rakipi, i kundërpërgjigjet duke e quajtur deklarimin e tij mjaft befasues. Për Kadarenë kjo është një radhë shpifjesh vulgare dhe qesharake, egërsimi i gjuhes së përdorur në shtyp nga Prokurori e konsideron tipike staliniste.

Sipas Kadaresë në Shqipëri ka ende probleme të rënda me demokracinë. Këto dëshmojnë se një krah i egër bolshevik ka shtrirë në dorë mekanizma të shtetit shqiptar. Afishimi i këtij krahu sipas shkrimtarit është vazhdimi i regjimit komunist. Ai shpreson se shteti shqiptar do të gjejë forca dhe vullnet të shkëputet nga ky krah që rrezikon. Ndërsa Kryeprokurori Rakipi i pyetur për këtë deklaratë shprehet vetëm me një mosrënie dhe qenie dakort të butë ndaj akuzave direkte si forcë destabilizuese të prokurorëve shqiptarë. Asnjë kundërshtim tjetër. Vetëm Opozita është ajo që e mbështet deklarimin e Kadaresë.

Ylli Vejsiu shprehet: “Shkrimtari ynë i madh Kadare ka mjaft të drejtë kur bën një vlerësim të tij sepse në radhë të pare ai niset nga një opinion mjaft i përhapur dhe mjaft i konsoliduar që në radhët e pushtetit gjyqësor ku bën pjesë dhe Prokuroria ekziston një korrupsion mjaft i madh dhe këtë nuk e thonë vetëm njerëzit këtu brenda por dhe institucionet më prestigjoze ndërkombëtare. Së dyti ai ka parasysh që Prokuroria gjatë kohëve të fundit ka devijuar plotësisht nga funksioni i saj themelor. Ajo më shumë është marrë me hetimin dhe me përndjekjen e figurave politike të Opozitës, veprimeve të saj.”

Ndërsa Neritan Ceka shprehet: “Është një deklaratë që nuk përputhet me realitetin shqiptar dhe besoj se vjen nga fakti që Kadare nuk e njeh më ashtu siç duhet Shqipërinë, e njeh vetëm nga shtypi i cili në fakt është disinformues për ata që jetojnë jashtë Shqipërisë. Unë do të thoja që pikërisht tek Prokuroria ka një përpjekje të ndërgjegjshme për ta korigjuar drejtësinë shqiptare, për t’a bërë atë të pavarur edhe për korrektesë. Këtu do të vlerësoj veçanërisht kontributin që ka dhënë Prokuroria e Tiranës dhe Prokuroria e Përgjithshme. Tek z.Arben Rakipi kam parë një figurë e cila është një pikë e fortë në tendencat, në ato përpjekje që po bëhen për pavarësinë e drejtësisë shqiptare.“/tvklan.al

Gazetare : Holta Zhiti






Të ngjashme