Donte t’i jepte “kafe” policit: O ma thuaji babit të marrë atë shokun e vet


Donte t’i jepte “kafe” policit: O ma thuaji babit të marrë atë shokun e vet

13:02 25/01/2020

Një 35-vjeçar me iniciale R.Y është vënë në pranga nga Policia e Tiranës. Sipas një njoftimi për mediat, uniformat blu thonë se ai është ndaluar nga patrulla pasi nuk kishte vendosur rripin e sigurisë, ndërkohë që makinës nuk i kishte kryer as kontrollin teknik.

Për të mos u penalizuar, i riu tentoi t’i jepte ryshfet efektivit të patrullës. Gjatë kohës që punonjësi i policisë e pyet se çfarë është ajo që po jep, i riu i drejtohet duke i thënë “Pije një “kafe””.

Polici: Ishe pa rrip sigurimi, paraqit edhe letrat e tjera.

Qytetari: Po mir mor burrë…

Polici: Ça i ke këto mor zotëri?

Qytetari: Pije një “kafe” vet…

Polici: Pse ta pij kafen unë? Kam një rast korrupsioni te “Karl Gega”. Zotëri ke tentuar të korruptosh punonjësin e policisë.

Qytetari: Ça po të korruptoj mor burrë, po më korrupton thotë.

Polici: Po.

Qytetari: Ashtu e? O ma thuaji babit të marrë një çikë atë shokun e vet në telefon!

Polici: Më jep një çikë patentën

Gjatë 25 ditëve të para të këtij viti, Policia Rrugore e Tiranës ka goditur tre raste të mitëdhënies. Në pranga kanë përfunduar drejtuesit e mjeteve që kanë tentuar të korruptojnë policët me qëllim shmangien  e masës administrative për shkeljen e konstatuar./tvklan.al






Të ngjashme