Lajme nga Rambuje, Kuk (17 Shkurt 1999)
Bisedimet në Rambuje janë ngrirë në pikën e 30 mijë trupave të NATO-s të cilat duhet të vendosen në Kosovë. Bashkëpresidentët e Konferencës Kuk dhe Vedrin mbërrijnë në Rambuje pas vizitës së papritur të Hillit në Beograd.
Takimi i tij prej 4 orësh me Millosheviçin ka përfunduar me një mospranim të Presidentit Jugosllav të Forcës Paqeruajtëse në Kosovë. Përfaqësues të UÇK-së në Rambuje në Konferencë për shtyp kanë deklaruar se e vetmja garanci për Kosovën është prania ushtarake e NATO-s.
Kosova sot ka qënë e mbërthyer nga ethet e luftës mes ushtrisë serbe dhe forcave të UÇK-së. Shtypi shqiptar në Prishtinë ka shkruar rreth transformimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Parti Çlirimtare, fakt që është kundërshtuar nga zëdhënësi politik i UÇK-së./tvklan.al
Gazetare : Mirela Milori